BB: Shqipëria udhëheq rajonin për turizmin, 7 për qind rritje në 6-mujorin e parë
Hyrjet turistike në Shqipëri u rritën me rreth 7% në gjysmën e parë të vitit 2026, sipas Bankës Botërore.
Shqipëria vijon të regjistrojë një nga ritmet më të larta të rritjes së turizmit në Ballkanin Perëndimor. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, hyrjet turistike në vend u rritën me rreth 7% gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky ritëm është i afërt me atë të regjistruar në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025.
Të dhënat janë pjesë e raportit më të fundit të Bankës Botërore mbi Inteligjencën Artificiale, Punën, Biznesin dhe Produktivitetin, i cili analizon zhvillimet ekonomike dhe turistike në Europë dhe Azinë Qendrore. Sipas raportit, turizmi ka ruajtur rritjen në një pjesë të vendeve të këtyre rajoneve, megjithëse ecuria ndryshon ndjeshëm nga një ekonomi në tjetrën. Statistikat për hyrjet turistike mbulojnë periudhën janar–qershor të secilit vit, me të dhënat më të fundit që i përkasin qershorit 2026.
Shqipëria dhe Serbia me rritje, Bosnja dhe Maqedonia e Veriut në rënie
Në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria dhe Serbia shfaqin ritme të përafërta të rritjes së hyrjeve turistike. Ndërkohë, Bosnjë-Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut kanë regjistruar rënie të numrit të vizitorëve, ndërsa Mali i Zi paraqitet me një rritje të vogël.
Ndryshime të konsiderueshme vërehen edhe në vendet e tjera të Europës dhe Azisë Qendrore. Polonia dhe Armenia kanë shënuar rritje të fortë të hyrjeve turistike, ndërsa Rumania dhe Gjeorgjia kanë regjistruar rënie. Banka Botërore evidenton se ndikimi i konfliktit në Lindjen e Mesme mbi turizmin ka qenë i pabarabartë, në varësi të tregjeve nga vijnë turistët dhe lidhjeve të transportit.
Në rastin e Serbisë, turizmi është mbështetur nga forcimi i rolit të vendit si qendër rajonale e tranzitit dhe aviacionit. Zgjerimi i lidhjeve ajrore të Beogradit ka nxitur udhëtimet nga Rusia dhe Turqia, megjithëse ndërprerjet e lidhura me konfliktin në Lindjen e Mesme kanë ndikuar në disa itinerare.
Turizmi dhe ndërtimi do të mbështesin ekonominë shqiptare në 2027–2028
Për Shqipërinë, rëndësia e turizmit shtrihet përtej rritjes së numrit të vizitorëve. Banka Botërore vlerëson se turizmi dhe ndërtimi do të vijojnë të jenë ndër sektorët kryesorë mbështetës të aktivitetit ekonomik gjatë viteve 2027–2028.
Sipas parashikimeve të institucionit, ekonomia shqiptare pritet të rritet me 3.4% gjatë vitit 2026, ndërsa ritmi i rritjes parashikohet të përshpejtohet në 3.6% në vitin 2027 dhe 3.7% në vitin 2028.
Për Ballkanin Perëndimor, Banka Botërore parashikon një rritje ekonomike mesatare prej 3.4% gjatë viteve 2027–2028. Kjo ecuri pritet të mbështetet nga kërkesa e brendshme, investimet publike, turizmi dhe përmirësimi i eksporteve.
Tensionet gjeopolitike dhe kostot e larta mbeten rrezik për ekonominë
Megjithatë, Banka Botërore paralajmëron se perspektiva ekonomike mbetet e ekspozuar ndaj rreziqeve që mund të ndikojnë negativisht në rritjen e parashikuar. Ndërprerjet e zgjatura në furnizimin me energji dhe tensionet gjeopolitike mund të mbajnë kostot në nivele të larta, duke dobësuar fuqinë blerëse të familjeve, konsumin dhe investimet.
Rritja e kostove të transportit dhe të punës, së bashku me ndërprerjet e udhëtimeve, përbëjnë gjithashtu sfida për sektorin e turizmit. Pavarësisht këtyre zhvillimeve, Shqipëria ka ruajtur një ritëm pozitiv të hyrjeve turistike gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, duke u renditur ndër ekonomitë me ecurinë më të mirë në Ballkanin Perëndimor.
Burimi: Ekofin.al
Më të lexuarat






k.jpg)